top of page
Logo-KSEMI-transparent-bardhe.png

Studentët dhe të menduarit kritik për median dhe informacionin

  • Writer: KSEMI
    KSEMI
  • Nov 20, 2024
  • 2 min read



Në datat 18-19 nëntor u zhvillua trajnimi rreth edukimit për median dhe informacionin me studentët e Fakultetit Histori-Filologji. Mark Marku dhe Rrapo Zguri, profesorë të gazetarisë, u përqendruan te aplikimi i mendimit kritik për median dhe informacionin, si dhe te filtrat që mund të përdorim për të kuptuar më mirë arsyet pse na serviren mesazhe të caktuara. U fol për dallimin mes faktit dhe opinionit, si dhe mënyrat për të kontrolluar faktet dhe informacionin që hasim çdo ditë.

Si të dallojmë dhe verifikojmë përmbajtjen e dëmshme online? Si të deshifrojmë mesazhet që na jepen dhe si t’i interpretojmë ato? Duke sjellë shembuj nga peizazhi informativ në vend dhe më gjerë, trajnerët ilustruan shembuj të manipulimit të informacionit nëpërmjet imazhit, tekstit, videos, marrëdhënieve publike dhe teknika të tjera.

Trajnimi vijoi me njohjen e mekanizmave dhe instrumentave online që na ndihmojnë të verifikojmë kategoritë e ndryshme të informacionit. Vëmendje e veçantë iu kushtua verifikimit dhe interpretimit të statistikave, si dhe databazave që na ndihmojnë në këtë drejtim, verifikimin e profileve dhe faqeve në rrjetet sociale, përdorimin e mjeteve për gjeo-lokalizimin e imazheve apo vendeve të caktuara, etj.

Gjithashtu me studentët u diskutua rëndësia që ka aftësimi në kompetenca krijuese të edukimit për median dhe informacionin në tregun aktual të punës, ku përdorimi i teknologjive është një avantazh për shumicën e profesioneve. Studentët u njohën me instrumentat që ekzistojnë për të kontrolluar fotot dhe videot dhe vërtetësinë e tyre, por edhe lloje të ndryshme informacioni.

Ky trajnim është pjesë e projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm,” të zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias, me mbështetjen financiare të Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun të Ambasadës Amerikane në Shqipëri.

Comments


bottom of page