top of page
Logo-KSEMI-transparent-bardhe.png

Shkëlqimi dhe rënia e Radio Televizionit Shqiptar

  • Writer: KSEMI
    KSEMI
  • Dec 5, 2024
  • 3 min read


Nga Eva Laska.


Shumë vite  kanë kaluar nga viti i largët 1938 kur u themelua Radio Shqipëria dhe  për herë të parë u krijua një platformë për transmetimin e informacionit dhe të kulturës për publikun shqiptar.


Më pas,  në vitin 1960, u themelua  Televizioni Shqiptar, i cili filloi transmetimin për herë të parë më 21 dhjetor 1960. Një televizion i cili nuk shërbente vetëm për  propagandën e partisë komuniste por edhe për  të bashkuar njerëzit, familjet shqiptare me njëri-tjetrin duke pasur një rol të rëndësishëm te populli dhe duke u bërë shumë i dashur përmes disa programeve, siç ishte Festivali i fundvitit i Këngës që ndiqej masivisht nga njerëzit dhe ku shumë emra gazetarësh dhe prezantuesish u bënë të dashur për publikun për disa breza.


Me ardhjen e demokracisë gjendja e Radio Televizionit Shqiptar ndryshoi, audienca e tij ra, publiku filloi të ndiqte masivisht televizionet  e huaja, kryesisht televizionin italian. Me hapjen e mediave private shqiptare RTSH-ja pothuajse u harrua për shumë vite.


Vitet e fundit ka patur përpjekje për ta rikthyer vëmendjen dhe  shkëlqimin e humbur  ndër vite por përsëri ka shikueshmëri shumë të ulët krahasuar, përshembull, me RAI që zë 30 % të shikueshmërisë në Itali, pra një shifër shumë më të lartë se RTSH-ja  në Shqipëri.


Arsyet për shikueshmërinë e ulët janë të shumta por disa nga to janë:


Përdorimi i  platformave online;   Shqiptarët preferojnë të përdorin  platformat e tjera si YouTube, Netflix, dhe mediat sociale për ta marrë informacionin më shpejt. Televizionet janë prapa me  përditësimin e medias online duke pasur parasysh që brezi i ri nuk e ndjek më median tradicionale por preferon vetëm atë online.


Mungesa e përmbajtjes tërheqëse; Shumë herë, RTSH nuk arrin të ofrojë përmbajtje që është në përputhje me shijet e audiencës moderne. Mungesa e programeve inovative dhe tërheqëse mund të çojë në humbjen e interesit të shikuesve.  Në rastin e RAI-t italian ka një programacion për të gjithë grupmoshat duke nisur që nga fëmijët e vegjël e deri te grupmoshat më të vjetra.


Përmbajtje inovative dhe e larmishme; RTSH duhet të ofrojë përmbajtje që është më e

ndryshme dhe më interesante për një audiencë të gjerë. Kjo mund të përfshijë programe të rinovuara, si seriale dhe dokumentarë, si dhe emisione që trajtojnë temat sociale, kulturore dhe politike në mënyrë tërheqëse. Po ashtu, mund të zhvillohen programe që tërheqin brezin e ri. 

Angazhimi në platformat digjitale; RTSH duhet të zhvillojë dhe promovojë platformat online. Kjo mund të përfshijë aplikacione për smartphone dhe tablet, si dhe mundësinë për të qenë më afër njerëzve . Po ashtu, mund të ofrohen shërbime të transmetimit të drejtpërdrejtë dhe podcast-e për audiencën që preferon formate të tilla. 


Shërbime multimediale dhe bashkëpunime me media të tjera; RTSH mund të bashkëpunojë me media të tjera, si dhe me figura të njohur, për të sjellë emisione speciale që mund të jenë atraktive për audiencat e reja. Po ashtu, mund të krijojë përmbajtje që mund të shpërndahet përmes rrjeteve sociale për të arritur më shumë shikues dhe dëgjues.  Në televizionin italian figurat e dashura për publikun janë ato në Televizionin publik, si: Maria De Filipi, Paolo Bonolis, Amedeo Sebastiani, Pippo Baudo, Carlo Conti, Antonella Cleric. Në Shqipëri figurat e dashura janë pjesë e televizioneve private: Adi Krasta, Ardit Gjebrea, Arbana Osmani, Rudina Magjistari, Alketa Vejsiu, etj.  Pra ndryshimi qendron se figurat e njohura dhe të dashura për njerëzit janë larg RTSH-së por afër publikut.


RTSH ka bërë hapa  për të përmirësuar shërbimet dhe përmbajtjen e saj, ajo përballet me disa sfida.


Njëra prej tyre është konkurrenca nga mediat private dhe kanalet ndërkombëtare që kanë arritur të shtrijnë shikueshmërinë në Shqipëri. Në një botë ku informacioni shpërndahet në kohë reale përmes rrjeteve sociale dhe platformave online, RTSH duhet të përpiqet të mbajë audiencën e saj, duke ofruar përmbajtje tërheqëse dhe të besueshme.


Përmirësimi i cilësisë teknike dhe vizuale: Kualiteti i produksionit është thelbësor për të tërhequr shikuesit. RTSH mund të investojë në teknologjinë e avancuar për transmetimin e programeve, duke përfshirë HD, 4K dhe transmetim në internet për të qenë konkurrues ndaj platformave të tjera që ofrojnë përmbajtje me cilësi të lartë.


Në të ardhmen, RTSH ka mundësi të zhvillohet më tej duke përmirësuar më shumë programet e saj për audiencat e reja dhe duke shfrytëzuar mundësitë që ofron teknologjia moderne. Ndërsa përballet me sfida të ndryshme, roli i saj mbetet i rëndësishëm për zhvillimin e një shoqërie demokratike dhe të informuar në Shqipëri. RTSH-ja duhet ta ruajë me krenari statusin e televizionit publik i cili është një status me shumë peshë dhe vlerë.

Comments


bottom of page