Sfida e lajmeve të rreme dhe e dezinformimit në rrjetet sociale
- KSEMI
- Dec 9, 2024
- 4 min read
Updated: Dec 30, 2024

Nga Rubensa Ndreca.
Në vitet e fundit, fenomeni i lajmeve të rreme dhe dezinformimit ka marrë përmasa alarmante, duke u shfaqur si një problem global, me ndikime të theksuara edhe në Shqipëri, ku rrjetet sociale, njësoj si një det i paqëndrueshëm, mbushen me valë të pasigurta që lundrojnë me shpejtësi të pakontrolluar. Rrjetet sociale janë bërë arenë kryesore për shpërndarjen e informacionit, dhe kjo ka krijuar një terren pjellor për shpërndarjen e lajmeve të pasakta dhe dezinformuese.
Në Shqipëri, një vend që vjen nga një e kaluar e trishtuar, ku censura dhe mungesa e informacionit ishin pjesë e jetës së përditshme, lajmet e rreme kanë një ndikim edhe më të fortë. Shoqëria shqiptare, ka parë se si këto lajme të rreme, të përhapura nga një rrjet i pafund i individëve, mund të minojnë besimin e publikut tek informacioni, të krijojnë ndasi të thella dhe të shkaktojnë panik. Në këtë mozaik të pasigurisë dhe frikës, lajmet e rreme janë bërë një kërcënim i vërtetë që ndot çdo fushë të jetës shoqërore dhe personale.
Rrjetet sociale: Arena e iluzioneve dhe kurthet e rreme
Në kohën e shpërthimit të internetit dhe përdorimit masiv të rrjeteve sociale, çdo individ ka mundësinë të bëhet një burim informacioni, pa pasur nevojë për një verifikim rigoroz. Për të kuptuar këtë botë të ngatërruar, mund t’i mendojmë platformat sociale si një teatër i madh, ku çdo përdorues është aktor dhe shkrimtar, por ku skenari, shpesh herë, është i shkruar nga individë që synojnë manipulimin e mendimeve dhe emocioneve të publikut. Ky fenomen është ngritur si një alkimi, që përzien mitin dhe realitetin, duke krijuar një realitet të rremë që shpesh është më tërheqës se sa e vërteta.
Ndërkohë që platforma si Facebook, Instagram dhe WhatsApp janë bërë pasqyra të mendimeve dhe emocioneve të përdoruesve, ato kanë evoluar gjithashtu në fabrika dezinformimi, ku lajmet e rreme përhapen me një shpejtësi të frikshme.
Një nga faktorët kryesorë që kontribuon në rritjen e lajmeve të rreme është përdorimi masiv i rrjeteve sociale si burim kryesor informacioni. Shumë individë në Shqipëri nuk i kontrollojnë burimet e informacionit para se ta shpërndajnë, duke përhapur kështu lajme të pasakta. Kjo ndodh shpesh për shkak të mungesës së edukatës mediatike dhe përfshirjes të një audience që nuk ka aftësinë për të dalluar burimet e besueshme nga ato të pasigurta. Shtypi dhe mediat tradicionale janë shpesh viktima të këtyre lajmeve të rreme, që shpesh herë nuk janë të pajisura me mjetet dhe resurset e nevojshme për të verifikuar informacionin në kohë reale.
Rrjetet sociale si dhomë Echo për dezinformimin
Në Shqipëri, Facebook, Instagram dhe WhatsApp janë platforma të përdorura gjerësisht për shpërndarjen e lajmeve. Në këtë labirint informacioni, algoritmet e rrjeteve sociale, të cilat janë krijuar për të maksimizuar përfitimet ekonomike, kanë një rol të madh në shpërndarjen e lajmeve të rreme. Duke favorizuar përmbajtjen që tërheq më shumë klikime, algoritmet shpesh promovojnë lajme të cilat janë të pasakta ose të manipuluara. Ky proces krijon një kambanë echo: një rreth të ngushtë njerëzish që vazhdojnë të ndajnë dhe të shpërndajnë lajme pa verifikimet e duhura, duke krijuar kështu një efekt pasqyrë, ku e vërteta e parë është tashmë e deformuar dhe e zhdukur.
Një shembull i këtij fenomeni është lajmi i shpërndarë për rastet e rreme të ndihmës nga fondet e huaja pas tërmetit të vitit 2019, ku disa individë shpërndanë informacione të gabuara rreth ndihmave financiare që nuk ishin dërguar. Ky lajm përhapi një klimë pasigurie dhe kaos mes atyre që ishin tashmë të traumatizuar nga katastrofa natyrore.
Ndikimi në shoqërinë shqiptare dhe pasojat e dezinformimit
Ndikimi i lajmeve të rreme dhe dezinformimit është i thellë në shoqërinë shqiptare. Në një vend ku besimi tek institucionet dhe media është shpesh i ulët, lajmet e rreme bëhen një armë e fuqishme e polarizimit dhe e pasigurisë, duke minuar besimin politik dhe institucional. Po ashtu, fenomeni i lajmeve të rreme mund të ndikojë negativisht edhe në shëndetin publik, sidomos në periudha krizash si pandemia e COVID-19, kur shumë lajme të rreme lidhur me vaksinimin dhe pasojat e tij përhapën frikë dhe konfuzion, duke ndikuar negativisht në përpjekjet për të menaxhuar krizën. Lajmet për konspiracione, duke përfshirë ato që aludonin për një kontroll të fshehtë të popullsisë, i shtuan ngjyrat e frikës dhe ndihmuan në rritjen e skepticizmit të pabazë.
Përveç ndikimit në shëndetin publik, lajmet e rreme ndihmojnë gjithashtu në polarizimin e shoqërisë dhe rritjen e tensioneve politike. Ato shpesh përdoren si mjet për të manipuluar opinione publike, duke krijuar konflikte të brendshme dhe duke penguar zhvillimin e një debati të shëndetshëm dhe të informuar.
Një rrugë e pashkelur përpara: Çfarë mund të bëjmë?
Në një kohë ku informacioni është një mjet i fuqishëm, për të mbrojtur të vërtetën, është e nevojshme që individët të zhvillojnë një qëndrim kritik ndaj informacionit që marrin. Kjo do të thotë një angazhim më të madh për edukimin mediatik, për të mësuar se si të dallojmë burimet e besueshme nga atë të rreme, dhe si të kontrollojmë informacionin para se ta shpërndajmë. Për më tepër, mediat tradicionale dhe autoritetet shtetërore kanë një përgjegjësi për të mbështetur, përpjekjet e faktimit të informacionit dhe për të luftuar dezinformimin, përmes kanaleve të komunikimit që kanë në dispozicion.
Kur e vërteta bëhet një mercenar i manipulimit dhe lajmet e rreme mbushin hapësirën e shoqërisë, ne jemi ata që duhet të zgjedhim të ruajmë integritetin e informacionit dhe të krijojmë një mjedis ku besimi dhe transparenca janë thelbi i çdo komunikimi. Vetëm kështu mund të dalim nga hija e lajmeve të rreme dhe të rindërtojmë një shoqëri të informuar dhe të përgjegjshme.
Ndoshta kjo është beteja që do të pëcaktojë të ardhmen tonë, ky është një moment që kërkon një reflektim të thellë: A do të jemi të aftë të mbrojmë të vërtetën nga flakët e dezinformimit, apo do të lejojmë që kjo furtunë të shkatërrojë gjithçka që kemi ndërtuar deri tani?
Comments